Si të vendosësh qëllimet e tua (4)
15. Dhjetor E Diel

‘Unë jap njerëz për ty dhe popuj në këmbim të jetës sate’ Isaia 43:4 NKJV

Varu tek Perëndia më shumë se sa tek të tjerët. Kjo nuk do të thotë se ti nuk ke nevojë për njerëz të tjerë. Ti ke nevojë. Kur Perëndia e thërret dikë që të kryejë një punë, Ai thërret edhe të tjerë që të qëndrojnë përkrah tij. Premtimi i Perëndisë është: ‘Unë jap njerëz për ty dhe popuj në këmbim të jetës sate’. Prandaj pyete Atë se kush i përket jetës sate. Tek Eksodi, kapitulli 17, për sa kohë që Moisiu i mbante duart e tij lart, ushtria e Izraelit fitonte në betejë, por kur duart e tij lodheshin, fitorja kalonte në anën tjetër. Prandaj, Aaroni dhe Huri qëndruan pranë Moisiut dhe ia mbajtën duart lart derisa fitorja mbi amalekitët qe e plotë. Ti ke nevojë për njerëz që dinë se si të t’i mbajnë duart lart dhe të të forcojnë. Pali shkroi: ‘Sepse nuk kam asnjë në një mendje me mua (përveç Timoteut), që të kujdeset sinqerisht për gjërat tuaja. Sepse në fakt të gjithë kërkojnë interesin e vet...Por ju e njihni provën e tij’ (Filipianëve 2:20-22 NLT). Në fakt, Pali mori një kapitull të tërë të Biblës për të shprehur mirënjohjen dhe falenderimin për të gjithë ata që bënë të mundur që ai të kishte sukses në thirrjen e tij. Ai shkruan për njerëz ‘të cilët për jetën time vunë kokën në rrezik; ata i falendëroj jo vetëm unë, por të gjitha kishat e johebrenjve’ (Romakëve 16:4 NKJV). Disa prej nesh janë  kokëfortë dhe egoistë; ne i nënshtrohemi filozofisë: ‘Ose sipas mënyrës sime, ose hiç fare’. Ne e çajmë rrugën përmes duke lënduar njerëz e duke shkatërruar gjëra. Mos e bëj! Kur Perëndia i dërgon njerëzit me dhunti në jetën tënde, pranoji ata, respektoj ata, trajnoji ata, motivoji ata dhe shpërbleji ata. Kur ta bësh këtë, ti jo vetëm që do përmbushësh qëllimin tënd, por do të krijosh një fitore për të gjithë.