Bëj gjithçka për lavdinë e Perëndisë (2)
22. shkurt e diel
“Por ju keni vajosjen nga i shenjti dhe dini çdo gjë” 1 Gjonit 2:20
Ja ku ke edhe dy gjëra që duhet të dish në lidhje me vajosjen tënde. (1) Vajosja është për gjithsecilin prej nesh. Në kohët biblike, vaji i vajosjes derdhej vetëm mbi kokat e profetëve, priftërinjve dhe mbretërve, duke simbolizuar praninë e Perëndisë që qëndronte mbi ta në një mënyrë të veçantë. Por vajosja nuk kufizohet vetëm tek ata që janë në shërbesë; është për të gjithë - përfshirë edhe ty! Nuk ka rëndësi nëse je mësues, mjek apo avokat. Nga maja e skemës organizative deri në fund, Perëndia dëshiron të të vajosë për të të bërë çfarëdo që je thirrur të bësh. Nëse ke nevojë për ndihmë ligjore, sigurisht që dëshiron një avokat që ka qenë në shkollën e drejtësisë, por gjithashtu dëshiron një avokat që është i vajosur nga Perëndia. Nëse ke nevojë për ndërhyrje kirurgjikale, sigurisht që dëshiron një mjek që ka qenë në shkollën e mjekësisë, por gjithashtu dëshiron një mjek duart e të cilit janë të vajosura nga Perëndia. Vajosja e Perëndisë nuk njeh kufij kur bëhet fjalë për pozicionin ose portofolin. Apostulli Gjon shkruan: “Por ju keni vajosjen nga i shenjti dhe dini çdo gjë”.
(2) Ne duhet të përpiqemi të kënaqim Perëndinë në gjithçka që bëjmë. “Pra, nëse hani, nëse pini, nëse bëni ndonjë gjë tjetër, të gjitha t'i bëni për lavdinë e Perëndisë” (1 Korintasve 10:31). Fjala kyçe është ‘ndonjë gjë’. Nuk ka rëndësi se çfarë po bën; bëje për lavdinë e Perëndisë. Oswald Chambers tha: “Është e lindur thirrja brenda nesh që të bëjmë gjëra të jashtëzakonshme për Perëndinë, por ne nuk e bëjmë. Duhet të jemi të jashtëzakonshëm në gjërat e zakonshme”. Dhe kur jemi të tillë, i sjellim një buzëqeshje Perëndisë.

