Pasojat e mosbindjes
14. tetor e mërkurë
“Por Zoti i tha Jozueut: "Çohu! Pse rri përmbys me fytyrë për tokë? Izraeli ka mëkatuar” Jozueu 7:10-11
Muret e Jerikos kishin rënë dhe Jozueu ishte i mbushur me ndjenjën e fitores. Sfida e radhës ishte qyteti i Ait, me një popullsi prej vetëm 20.000 banorësh. Prandaj Jozueu vendosi se 3.000 ushtarë do ta kryenin punën. Por ai gaboi. “Kështu u ngjitën rreth tre mijë burra të zgjedhur nga radhët e popullit, por para burrave të Ait, ua mbathën këmbëve. Dhe burrat e Ait vranë rreth tridhjetë e gjashtë prej tyre; i ndoqën nga porta e qytetit deri në Shebarim, duke i goditur në tatëpjetë. Dhe zemra e popullit u ligështua, u bë si uji” (vargjet 4–5). Çfarë e shkaktoi këtë? Akani, një nga ushtarët e Jozueut, nuk i ishte bindur urdhrit të Perëndisë dhe kishte marrë plaçkat e Jerikos, duke i fshehur në çadrën e tij. Si pasojë, Izraeli pësoi një humbje poshtëruese dhe Akani, bashkë me familjen e tij, u vranë me gurë në luginën e Akorit. Jozueu u shkatërrua emocionalisht. Ai shqeu rrobat, ra përmbys dhe u lut: “Ah, sikur të ishim kënaqur duke qëndruar këtej Jordanit!” (v. 7).
Vër re se çfarë i tha Perëndia: “Çohu! Pse rri përmbys me fytyrë për tokë? Izraeli ka mëkatuar.” Këtu ka një mësim të rëndësishëm: ka një kohë për t’u lutur dhe një kohë për “t’u çuar” dhe për t’u marrë me çështjet për të cilat Perëndia po të flet! Ndonjëherë lutemi duke shpresuar që Perëndia ta anashkalojë mosbindjen tonë ose të ndryshojë mendje. Por qëllimi i Perëndisë është të na ndryshojë ne! Pse Akani i mori plaçkat e Jerikos? Sepse ai nuk besoi në aftësinë dhe gatishmërinë e Perëndisë për ta furnizuar. A po merret Perëndia me ty për të njëjtën gjë?

