Si të lulëzosh në territorin armik (1)
23. tetor e premte

“Sot ju hoqa turpërimin e Egjiptit” Jozueu 5:9

Kur Izraeli hyri në Tokën e Premtuar, kishte tridhjetë e një mbretër që duhej të mposhteshin. Kjo do të thotë se ata do të jetonin në territorin armik. Perëndia i tha Jozueut: “Fillo përsëri të rrethpresësh bijtë e Izraelit” (Jozueu 5:2). Kur kjo u krye, Zoti tha: “Sot ju hoqa turpërimin e Egjiptit”. “Turpërimi i Egjiptit” ishte poshtërimi i skllavërisë që kishin duruar për 400 vjet; tani kishte ardhur koha të rimerrnin trashëgiminë e tyre si populli i zgjedhur i Perëndisë. Rrethprerja, pra, ishte një ndarje simbolike nga e kaluara dhe një shpallje e një identiteti të ri: jo më skllav, por i lirë.

Po tundimet e tua të vjetra, epshet dhe mangësitë? Ai të ka shkëputur nga fuqia e tyre! Kjo nuk mund të thuhet kurrë mjaftueshëm dhe mjaft qartë — ti nuk je më personi që ishe më parë! Kur Krishti vdiq, ti vdiqe. Kur Krishti u varros, ti u varrose. Kur Krishti u ringjall nga të vdekurit, ti u ringjalle me Të. “Ju zhveshët … njeriun e vjetër” dhe “veshët njeriun e ri” (Efesianëve 4:22, 24). Satani quhet “tunduesi” dhe “akuzuesi.” Kur ai vjen kundër teje në cilindo nga këto role, thuaji: “Unë jam blerë me një çmim. I përkas Perëndisë” (shih 1 Korintasve 6:20).“Nuk më është dhënë një frymë frike, por fuqie, dashurie dhe mendjeje të shëndoshë” (shih 2 Timoteut 1:7). “Nuk mund të ndahem nga dashuria e Perëndisë” (shih Romakëve 8:35). “Mund të gjej hir dhe mëshirë në kohë nevoje” (shih Hebrenjve 4:16).
“Mund të bëj gjithçka me anë të Krishtit që më forcon” (Filipianëve 4:13).