Merr kohë për t’u habitur dhe adhuruar
26. prill e premte

“Atëherë Perëndia shikoi të gjitha ato që kishte bërë, dhe ja, ishte shumë mirë” Zanafilla 1:31 NKJV

Reagimi i parë i regjistruar në Shkrim është reagimi i Perëndisë ndaj vetë krijimit të Tij. Ai tërhiqej në fund të çdo dite, shikonte atë që kishte bërë dhe thoshte: “Është mirë”. Më pas, në ditën e gjashtë, kur krijimi kishte përfunduar, Ai tha: “Është shumë mirë”. Kjo është arsyeja pse ndjehemi kaq shpirtërorë kur shikojmë një perëndim dielli në det ose majën e lartë të një mali. Thomas Carlyle ka thënë: “Adhurimi është një mrekulli transhendente. Mrekulli për të cilën nuk ka limit apo masë; ky është adhurimi”. Ai është të qëndrosh i mahnitur para Krijuesit dhe krijimit të Tij. Ai është të përkthesh bukurinë e krijimit në adhurim ndaj Krijuesit. Ai është ta falenderosh Perëndinë për lindjet plot shkëlqim të diellit, yjet vezullues dhe flokët unikë të dëborës. Ai është t’i japësh merita Atij që i takon – Krijuesit.

Psalmisti e përshkroi atë me fjalët: “Qiejt shpallin lavdinë e Perëndisë” (Psalmi 19:1 KJV). Grupi muzikor U2 e përshkroi atë në fjalët e këngës së tyre hit “Ditë e bukur”. Një mahnitje e tillë është një akt adhurimi. Një pastor shkruan: “Lindja e diellit është aq e qëndrueshme sa e marrim si të mirëqenë, por pak gjëra janë aq të mrekullueshme sa vallëzimi qiellor që zhvillohet çdo ditë. Toka rrotullohet rreth boshtit të saj me një shpejtësi prej 1000 milje për orë. Dhe ndërsa [ajo] rrotullohet 360 gradë rreth boshtit të saj çdo njëzet e katër orë, ajo gjithashtu po vërtitet nëpër hapësirë ​​me shpejtësinë e paimagjinueshme prej 67,000 milje për orë. Mund të mos keni ndonjë plan të madh për sot, por do të udhëtoni 1.6 milionë milje në xhiron vjetore rreth diellit. Goxha arritje!”. Prandaj, merr kohë për t’u mahnitur dhe adhuruar Perëndinë.