Udhëheqësia e mirë
13. Maj E Premte

‘Zoti i foli Moisiut’ Numrat 1:1 NIV

Një drejtues i mirë është si kapiteni i mirë i një anijeje; ai e planifikon të gjithë udhëtimin në mendjen e tij përpara se të largohet nga doku. Drejtuesit e mirë kanë një vizion të qartë të destinacionit të tyre, ata e kuptojnë se çfarë do t’u duhet për të mbërritur atje, ata e dinë se kush duhet të jetë në bord që udhëtimi të jetë i suksesshëm dhe ata i dallojnë pengesat shumë kohë më përpara se ato të shfaqen në horizont. Dhe për shkak se ata përgatiten mirë, drejtuesit e mirë mund t’i çojnë njerëzit e tyre praktikisht kudo.

Moisiu ishte një drejtues i tillë. Ai kaloi dyzet ditë duke u lutur dhe agjëruar mbi një mal, duke refuzuar që të largohej derisa ai kuptoi atë që Perëndia donte që ai të bënte. Më pas ai u kthye dhe ja komunikoi këtë njerëzve, në mënyrë që ata të mund të merrnin pjesë në vizion. Tek libri Premtime Udhëheqësie Për Javën Tënde, Dr. John Maxwell shkruan: ‘Si një drejtues i mirë, Moisiu në mënyrë metodike i rregulloi kampet fisnore në shkretëtirë (shiko Numrat 2:34). Ne do të bënim mirë që të...organizoheshim siç ai bëri. 1) Merr kohë për planifikimin dhe organizimin.  Përcaktoje qëllimin tënd parësor. 2) Kupto se ku gjendesh përpara se të përpiqesh të zhvillosh një strategji. 3) Vër përparësi nevojat dhe qëllimet e skuadrës duke bërë pyetjet e duhura. 4) Shkruaji qëllimet që janë realistë, të matshëm dhe bindës. 5) Qartësoji qëllimet dhe komuniko me skuadrën tënde. 6) Identifiko pengesat e mundshme. Ki një përqasje të hapur në planifikimin tënd. 7) Llogarit koston dhe kohën tënde duke programuar gjithçka që mundesh dhe vendos afate kohore. 8) Studioji rezultatet. Vlerësimi parandalon amullinë dhe ekzagjerimin’.

Nëse do që Perëndia ta bekojë planin tënd, ti duhet të kesh një plan që Ai mund ta bekojë. Dhe ai duhet të vijë nga Vetë Perëndia. Prandaj, fol me Perëndinë sot mbi planin e Tij për jetën tënde.