Pranoji dështimet e tua
30. shtator e mërkurë

“Rrëfejani fajet njëri-tjetrit” Jakobi 5:16

Duket se sot kudo që të kthehesh, dikush po jep një justifikim për zgjedhjet, performancën apo sjelljen e tij të dobët, ose refuzon të pranojë një dobësi apo mangësi. Megjithatë, të gjithë bëjmë gabime. Një nga shembujt më të mirë të pranimit të një gabimi gjendet në historinë e Davidit që ndiqej padrejtësisht nga Mbreti Saul. David u bë një i arratisur dhe gjatë rrugës pa dashje rrezikoi jetën e disa priftërinjve kur u kërkoi atyre ndihmë. Ahimeleku, prifti, i dha atij ushqim dhe një shpatë dhe e pyeti Perëndinë në emër të tij. Doeg, krye-blegtori i Mbretit Saul, ishte dëshmitar i gjithë ngjarjes dhe e tregoi tek Sauli. Sauli u përball me Ahimelekun, e akuzoi për komplot me Davidin dhe urdhëroi Doegun që ta vriste atë dhe tetëdhjetë e pesë priftërinj e tjerë dhe familjet e tyre. “Megjithatë një nga bijtë e Ahimelekut, bir i Ahitubit, i quajtur Abiathar, shpëtoi dhe u strehua pranë Davidit. Abiathari i njoftoi Davidit që Sauli kishte vrarë priftërinjtë e Zotit.  Davidi i tha Abiatharit: "Unë e dija mirë atë ditë që Idumeu Doeg, i cili ndodhej aty, pa dyshim do ta lajmëronte Saulin. Unë jam shkaktari i vdekjes të të gjithë personave të shtëpisë së atit tënd” (1 Samuelit 22:20–22). 

Çfarë pranimi! Asnjë justifikim, vetëm një pranim se kishte bërë një gabim të tmerrshëm duke kërkuar ndihmën e tyre. Deklarata tjetër e tij tregon përkushtimin për të mos përsëritur gabimin dhe për të bërë të mirën kur të jetë e mundur: “Rri me mua, mos ki frikë; ai që kërkon jetën time kërkon edhe tënden; por me mua do të jesh i sigurt” (1 Samuelit 22:23). Njerëzit bëjnë gabime. Ata kanë pika të verbra. Por Perëndia është pranë nesh për të mbështetur çdo dobësi tonën. Paqja vjen kur i pranojmë dështimet tona tek njëri-tjetri.