Mendo mendime të mira
27. gusht e enjte
“Të gjitha gjërat … që janë me famë të mirë — këto mendoni” Filipianëve 4:8
Ekspertët vlerësojnë se ne kemi nga 50,000 deri në 70,000 mendime në ditë. Le të përdorim 60,000 si një mesatare të arsyeshme. Tani le të vëzhgojmë katër gjëra të rëndësishme rreth mendimeve tona: (1) Psikologët thonë se 98–99 për qind e mendimeve tona janë të zakonshme, pra të përsëritura. Me fjalë të tjera, janë pothuajse të njëjtat mendime që kemi pasur dje, pardje dhe një ditë më parë. Mendja juaj duhet të përtërihet ditë pas dite (shiko Romakëve 12:2). Nuk mund të vazhdoni të mendoni të njëjtat gjëra dhe të prisni një rezultat apo këndvështrim ndryshe. Cila është zgjidhja? Përvetësoni një mentalitet të të mësuarit! “Prandaj fito diturinë. Edhe sikur të humbasësh ato që ke, fito diturinë. Përlëvdoje dhe ajo do të të lartësojë” (Fjalët e Urta 4:7–8). (2) Vetëm 12 për qind e mendimeve tona janë të përqendruara te e ardhmja. Por besimi, sipas përkufizimit, është i orientuar nga e ardhmja. “Besimi është siguria e gjërave që shpresohen” (Hebrenjve 11:1).
(3) Një studim i Universitetit ‘Harvard’ zbuloi se një person mesatar shpenzon 46.9 për qind të orëve kur është zgjuar duke menduar për diçka tjetër nga ajo që po bën në atë moment. Psikologët thonë: “Një mendje që endet është një mendje e palumtur.” Sigurisht, fajtorët më të dukshëm janë pajisjet digjitale që na mbajnë të shpërqendruar. Asgjë nuk e mpak aftësinë tonë për të ëndërruar si të ashtuquajturat telefona inteligjentë! (4) Klinika Cleveland vlerëson se 80 për qind e mendimeve tona janë negative. Kjo do të thotë 48,000 mendime negative në ditë! Dhe kur i verbalizojmë këto mendime, problemi vetëm sa përkeqësohet. Cila është zgjidhja? “Të gjitha gjërat që janë të vërteta, të gjitha gjërat që janë të ndershme, të gjitha gjërat që janë të drejta, të gjitha gjërat që janë të pastra, të gjitha gjërat që janë të dashura, të gjitha gjërat që janë me famë të mirë, nëse ka ndonjë virtyt dhe nëse ka ndonjë lëvdim, këto mendoni.”

