Perëndia do që ti të kesh sukses (3)
22. Shtator E Martë

“E bëre të mbretërojë mbi veprat e duarve të tua dhe vure çdo gjë nën këmbët e tij!” Psalmi 8:6 NIV

Si mund ta dish që Perëndia do që ti të kesh sukses në jetë? Tre arsye: (1) Për shkak se Ai të ka krijuar. Tek Zanafilla Ai tha: “Ta bëjmë njeriun sipas shëmbëlltyrës sonë dhe në ngjasim me ne” (Zanafilla 1:26 NKJV). Fjalët “shëmbëlltyrë” dhe “ngjasim” janë të rëndësishme. Mendo pak: Ne ndonjëherë i themi një fëmije: “Ti je kopja e babait tënd. Je tamam si ai!”. Për shkak se ti je krijimi suprem i Perëndisë, Ai derdhi në ty mendjen e Tij, fuqinë e Tij, diturinë e Tij dhe çdo gjë tjetër që të nevojitet për të pasur sukses. Në momentin që ti e rrok të vërtetën dhe fillon të veprosh duke u bazuar tek ajo, këndvështrimi yt do të ndryshojë. Ti do fillosh të mendosh si një “person pa kufij”. (2) Për shkak se ti ke vlerë. Aktorja Ethel Waters, që këndonte nëpër takimet e ungjillizimit të Billy Graham, tha: “Unë jam dikush, sespe Perëndia Im nuk bën gjëra pa vlerë!”. Si arritja kurorëzuese e krijimit të Perëndisë, ti je objekti i vëmendjes dhe dashurisë së Tij. Psalmisti shkroi: “Oh, sa të çmuara janë për mua mendimet e tua, o Perëndi! Sa i madh është gjithë numri i tyre! Po të doja t'i numëroja, do të ishin më të shumtë se rëra; kur zgjohem jam ende me ty” (Psalmi 139:17-18 NLT). (3) Për shkak se gjithçka që Perëndia bëri ishte për ty. “E bëre të mbretërojë mbi veprat e duarve të tua dhe vure çdo gjë nën këmbët e tij!”. Mos do të thotë kjo se Perëndia thjesht do e hedhë suksesin tek këmbët e tua? Jo. “Dhe Perëndia i bekoi dhe...u tha atyre: ‘Të jeni të frytshëm dhe shumëzohuni, mbushni tokën e nënshtrojeni” (Zanafilla 1:28 NKJV). Perëndia të ka dhënë autoritetin e Tij dhe aftësinë e Tij krijuese që të kesh sukses në çdo gjë që Ai të thërret. Prandaj, në vend që të mendosh si një viktimë—fillo mendo si një fitimtar!