Si të lutesh kur je i vetmuar
16. janar e premte
“Pastaj Zoti Perëndi…formoi një grua dhe e çoi te njeriu” Zanafilla 2:22
“Atë, kur Adami ishte i vetmuar, ti bëre Evën dhe ia solle atij. Dhe ashtu siç ti e dije se çfarë i duhej Adamit, unë po mundohem nga vetmia dhe Ti e di se për çfarë kam nevojë. Ti the në Fjalën tënde: “Nuk do të të lë, nuk do të të braktis” (Hebrenjve 13:5). Ekziston një pjesë e imja e cila nuk mund të kënaqet apo të përmbushet kurrë nga asnjë marrëdhënie tjetër përveç teje. Por ti gjithashtu më krijove për t’u shoqëruar dhe për të pasur nevojë për të ndërvepruar me njerëz të tjerë. Më ndihmo të pranoj dhe të ndaloj çdo sjellje negative nga ana ime, e cila mund t’i shkaktojë njerëzit të mos e shijojnë shoqërinë time ose të më pranojnë, si të qënit kritik, ziliqar, gjaknxehtë, gjykues, ose mosfalës. Të lutem më jep gjuhën e të diturit që të mund ta di kur të flas fjalë të përshtatshme në kohën e duhur. Të lutem hapi veshët e mi për t’i dëgjuar ata me mirëkuptim të vërtetë (shiko Isaia 50:4).
Më ndihmo të kapërcej drojën dhe frikën e mohimit dhe t’u drejtohem të tjerëve duke besuar se ti mund t’i flasësh zemrave të tyre dhe t’i bësh të jenë mendjehapur dhe pranues. Më mëso se si të pranoj dashurinë, ndihmën dhe zemërgjerësinë e tyre. Më ndihmo të kuptoj rëndësinë e të kujdesurit për marrëdhëniet e mia dhe jo thjesht t’i kushtoj vëmendje miqve kur më leverdis mua. Më ndihmo të jem një mik i besueshëm (shiko Fjalët e Urta 18:24). Ti e di për çfarë kam nevojë në një marrëdhënie. Ti e bëre Davidin dhe Jonathanin bashkë dhe Ruthin e Naomin bashkë. Kështu që, të kërkoj të më bësh bashkë me njeriun ose njerëzit e duhur. Në emër të Jezusit. Amen”.

