Ruaju nga paragjykimi
10. tetor e shtunë
“Por në qoftë se bëni preferenca personale, ju kryeni mëkat” Jakobi 2:9
Jakobi i shkroi kishës: “Sepse në qoftë se në asamblenë tuaj hyn një njeri me një unazë prej ari, me rroba të shkëlqyera, dhe hyn edhe një i varfër me një rrobë të fëlliqur, dhe ju i drejtoni sytë nga ai që vesh rroben e shkëlqyer dhe i thoni: ‘Ti ulu këtu, në vendin e mirë’ dhe të varfërit i thoni: ‘Ti rri atje, në këmbë’ ose ‘Ulu këtu, afër stolit të këmbëve të mia’, a nuk bëtë ju një dallim në mes tuaj, duke u bërë kështu gjykatës me mendime të këqija? … Por në qoftë se bëni preferenca personale, ju kryeni mëkat” (v. 2-4, 9). Kisha e hershme u rrit me shpejtësi sepse paragjykimi nuk kishte vend në të. Megjithëse judenjtë dhe samaritanët e përbuznin njëri-tjetrin, Jezusi krijoi vend si për Nikodemin, një udhëheqës jude, ashtu edhe për gruan johebreje te pusi, e cila ishte martuar pesë herë. Kisha e hershme i bëri vend Onesimit, ish-skllavit, në të njëjtën tryezë me Filemonin, ish-zotërinë e tij të pasur. Ungjilli u jep të gjithëve, kudo që janë, një vend dinjiteti në tryezën e Krishtit.
Mëkati i diskriminimit qëndron mbi dy këmbë: paragjykimin dhe paragjykimin e hamendësuar (supozimin). Dhe ato nuk duhet të kenë vend në jetën tënde. Profeti i lashtë Habakuku u ngjit në kullën e tij të vrojtimit për të “vëzhguar se çfarë do të më thotë [Perëndia]” (Habakuku 2:1). Shumë nga përvoja jonë e krishterë shpenzohet duke i folur Perëndisë dhe duke kaluar shumë pak kohë duke dëgjuar se çfarë Ai po na thotë neve. Ai patjetër ka diçka për të na thënë rreth diskriminimit. Prandaj kërkoji Atij të të ndihmojë t’i shohësh njerëzit përmes syve të Tij plot dashuri. Mund të ndodhë që të shohësh disa njerëz ndryshe nga sa i ke parë në të kaluarën.

