A të ka dhënë Perëndia një ide të mirë?
3. nëntor e martë
“Unë…do të të njoftoj gjëra të mëdha dhe të padepërtueshme që ti nuk i di” Jeremia 33:3
Shumica e historive të suksesit fillojnë si një ide në mendjen e dikujt. Dhe Perëndia është dhënësi i ideve të mira. “Çdo gjë e mirë që na jepet dhe çdo dhuratë e përsosur vjen prej së larti dhe zbret nga Ati i dritave” (Jakobi 1:17). Perëndia u jep dituri dhe njohuri atyre që janë të përulur mjaftueshëm për të kërkuar udhëheqjen e Tij. Premtimi i Tij është: “M'u drejto dhe unë do të të përgjigjem dhe do të të njoftoj gjëra të mëdha dhe të padepërtueshme që ti nuk i di.”
Robert Chesebrough kishte një produkt në të cilin besonte me gjithë zemër. Në fakt, ishte shpikja e tij. Chesebrough e kishte shndërruar llumin që formohet mbi boshtet e puseve të naftës—dyllin e shufrave—në një xhel petroleumi që ai personalisht zbuloi se kishte veti të mëdha shëruese. Ai besonte aq shumë në vetitë shëruese të krijimit të tij, saqë u bë vetë “subjekt eksperimental”. Për t’ua treguar të tjerëve përfitimet e produktit të tij, ai dogji veten me acid dhe flakë. Ai e preu dhe e gërvishti veten aq shpesh dhe aq thellë, sa mbajti plagët e testeve të tij gjatë gjithë jetës. Megjithatë, Chesebrough e provoi argumentin e tij dhe njerëzit u bindën. Mjaftonte të shihnin plagët e tij dhe mënyrën si ishin shëruar për të kuptuar vlerën e produktit të tij, i cili ende sot është një bestseller ndërkombëtar. Ne e njohim atë si Vazelinë.
Çfarë sheh në të ardhmen tënde? A beson mjaftueshëm në potencialin e saj për të ndihmuar të tjerët, sa të jesh i gatshëm të investosh kohën, energjinë, burimet dhe shpresën tënde për ta zhvilluar atë? Nëse kërkon drejtimin e Perëndisë, Ai do të “të njoftojë gjëra të mëdha dhe të padepërtueshme që ti nuk i di”.

