Qëndro pozitiv
18. qershor e enjte
“Të gjitha gjërat…që janë me famë të mirë…këto mendoni” Filipianëve 4:8
Marcial Losada është një psikolog organizativ që studion fuqinë e pozitivitetit. Ai argumenton se për të mbijetuar kemi nevojë për një cikël reagimi negativ. Pa korrigjime gjatë rrugës, ne i përsërisim pa vetëdije të njëjtat gabime. Por, nëse dëshiron të lulëzosh, ke nevojë edhe për një cikël reagimi pozitiv. Studimet e tij kanë prodhuar atë që njihet si raporti i Losadës: raporti midis reagimeve pozitive dhe atyre negative në një sistem. Nuk ka rëndësi nëse ky sistem është një kishë, një familje apo vendi yt i punës – duhet të ketë të paktën 2.9 reagime pozitive për çdo një reagim negativ. Pra, cili është raporti yt si bashkëshort/e, prind, punonjës, mik? Një pjesë e arsyes për këtë pabarazi është se reagimi negativ priret të ketë më shumë peshë dhe të zgjasë më gjatë, ndaj duhet të kundërbalancohet. Një rregull praktik mjaft i mirë është ky: jep tre komplimente për çdo ankesë. Në vend që të kërkosh gabime, stërvite veten t’i kapësh njerëzit duke bërë gjërat siç duhet.
Ja edhe disa gjëra të tjera që mund të bësh për të qëndruar pozitiv: (1) Mëso përmendësh dhe medito mbi premtimet e Fjalës së Perëndisë dhe mbështetu tek ato. (2) Mbaj një ditar mirënjohjeje. Ai do të të ndihmojë të kuptosh sa i bekuar dhe sa mirë je në të vërtetë. (3) Kultivo zakonin e dërgimit të një mesazhi apo shënimi të sinqertë njerëzve që vlerëson. Do të të marrë vetëm dy minuta, por mund t’ia bësh ditën më të bukur dikujt – madje edhe gjithë vitin! (4) Gjej mënyra për të ndarë “fitoret” me familjen dhe në vendin e punës. Kjo ka fuqinë të zhvendosë fokusin dhe të ndryshojë kulturën. Gjithashtu, do të të lidhë me fëmijët dhe kolegët e tu në një mënyrë të re dhe shumë të fuqishme

