Përgjigja e Perëndisë ndaj ankthit (4)
21. tetor e martë
“Mëndjes që pushon te ti, ti i ruan një paqe të përsosur, sepse kjo ka besim te ti” Isaia 26:3
Dr. D. James Kennedy shkroi: “Një epitaf i përshtatshëm për shumë njerëz sot do të ishte “I nxituar, i shqetësuar, i varrosur”…Shumë herë ne do të donim që të mund t’i lanim duart nga të gjitha përgjegjësitë dhe shqetësimet tona. Drejtori ekzekutiv i një kompanie të vogël vendosi se do ta bënte këtë. Edhe pse kompania e tij po shkonte drejt falimentimit, ai vendosi të mos shqetësohej më për të. Kështu që ai telefonoi zëvëndës presidentin e kompanisë dhe i tha: ‘Nuk dua më të shqetësohem për këtë kompani. Nëse do ta marrësh ti në dorë dhe do të merresh me shqetësimin për mua, do t’i shtoj $50,000 rrogës tënde”. I befasuar dhe i shushatur nga kjo ofertë bujare (dhe duke ditur situatën financiare të kompanisë), zëvëndës presidenti pyeti: “Po ku ke për t’i gjetur këto $50,000 shtesë?”. Shefi iu përgjigj: “Ky është shqetësimi yt i parë!”.
William Gladstone, një nga kryeministrat më të mirë të Mbretërisë së Bashkuar, ishte një burrë i mirë, i krishterë, i cili i shërbente Zotit. Në murin e dhomës së tij të fjetjes varej një pllakëz me këtë shkrim të gdhendur në të: ‘Mëndjes që pushon te ti, ti i ruan një paqe të përsosur, sepse kjo ka besim te ti’. Ishte gjëja e parë që Gladstone shikonte kur zgjohej në mëngjes dhe gjëja e fundit para se të flinte natën. Ja sekreti i paqes! Mund ta kemi këtë paqe sepse e dimë se Ai tek i cili kemi vënë mendjet është Ai i cili bën që çdo gjë të bashkëveprojë për të mirën tonë. A po ta merr paqen lëvizja e shpejtë e jetës moderne? Nëse po, ngadalësohu dhe përqëndrohu tek Zoti. Kupto se Ai është me ty dhe se Ai është në kontroll pavarësisht se çfarë të del përpara. Lëre mendjen tënde të pushojë tek Ai dhe lëre Atë të të japë paqen e Tij.