Bibla na ndihmon të mposhtim tundimin (3)
13. shtator e shtunë

“Asnjë tundim nuk ju ka gjetur juve, përveç se tundimi njerëzor” 1 Korintasve 10:13

Sipas Jezusit, epshi paraprihet nga tundimi dhe mund të çojë në mëkat (shiko Mateu 5:27-28). Por lajmi i mirë mbi përballjen me tundimin është se ti nuk je vetëm. Fjala e Perëndisë na thotë: “Asnjë tundim nuk ju ka gjetur juve, përveçse tundimi njerëzor; por Perëndia është besnik dhe nuk do të lejojë që t’ju tundojnë përtej fuqive tuaja, por me tundimin do t’ju japë dhe rrugë dalje, që ju të mund ta përballoni” (vargu 13). Duke marrë në konsideratë këtë shkrim, të thuash: “Thjesht nuk e përmbaja dot veten” është një justifikim që nuk ka peshë përpara Zotit. Bibla thotë se asnjë tundim nuk është më i madh se besnikëria e Perëndisë. Nëse zgjedh arratisjen që Ai të ofron, nuk ke për të rënë në kurth. Dhe nëse dështon, shkaku do të jetë se nuk qëndrove në besnikërinë e Perëndisë.

Tundimi mund të mos zhduket menjëherë, por do të jepet një mënyrë për ta përballuar, për të luftuar kundër tij. Tundimi qëndron aty, por Perëndia na jep një mundësi për t’i besuar fuqisë së Tij të besueshme dhe shpëtuese. Përballimi i tundimit është një proces i vazhdueshëm. Mund të fitosh betejën, por lufta mund të mos mbarojë kurrë plotësisht derisa Jezusi të vijë sërish dhe çdo armik do të bëhet stol i këmbëve të Tij (shiko Veprat 2:35). Ndërkohë: “Jini të përmbajtur, rrini zgjuar; sepse kundërshtari juaj, djalli, sillet rreth e qark si një luan vrumbullues, duke kërkuar cilin mund të përpijë. Kundërshtojeni, duke qëndruar të patundur në besim, sepse e dini se të njëjtat vuajtje po i heqin vëllezërit tuaj të shpërndarë nëpër botë” (1 Pjetrit 5:8-9).