Perëndia i qëndis gjërat
21. Tetor E Enjte

‘Unë jam Perëndia..që shpall fundin që në fillim...duke thënë: “Plani im do të realizohet dhe do të bëj gjithçka më pëlqen”’ Isaia 46:9-10 NLT

 

Një ditë, një biznesmen mori në telefon gruan e tij për t’i thënë se po sillte një vizitor të huaj në shtëpi për darkë. Gruaja e tij kishte tre fëmijë në shkollë dhe një të vogël në shtëpi, kështu që ishte shumë e ngarkuar me punë. Por ajo ra dakord dhe ushqimi që përgatiti ishte si i shijshëm ashtu edhe i servirur më së miri. Miku i huaj, një zyrtar i rëndësishëm në Spanjë, kaloi një kohë shumë të këndshme dhe e falenderoi çiftin disa herë që e kishin ftuar dhe mirëpritur me një ushqim të gatuar në shtëpi dhe me një mbrëmje plot me ngrohtësi familjare dhe miqësi.

Vite më vonë, miqtë e kësaj familjeje shkuan në Spanjë si misionarë. Por puna e tyre u pezullua për shkak të rregullave të qeverisë. Kur ky zyrtar i veçantë spanjoll dëgjoi se misionarët ishin miqtë e çiftit që e kishin mirëpritur në atë mënyrë aq të hirshme, ai e përdori ndikimin e vet për të hequr pengesat për hir të tyre. Si rrjedhojë, në atë provincë të Spanjës u ndërtua një kishë e gjallë dhe në rritje dhe njerëzit u fituan për Krishtin. Pse? Sepse një bashkëshorte dhe nënë e zënë me punë qe e gatshme që të nxirrte një pjatë më shumë për një mik në tavolinën e saj dhe ai mik doli se ishte një ‘lidhje për mbretërinë’.

Ashtu si një biznesmen i mençur, Perëndia vendos qëllimin; më pas, përcakton planin e kërkuar për ta arritur atë. Në Fjalën e Tij Ai na thotë: ‘Unë jam Perëndia...që shpall fundin që në fillim dhe shumë kohë më parë gjërat që ende nuk janë bërë, duke thënë: “Plani im do të realizohet dhe do të bëj gjithçka më pëlqen”’ (v. 9-10 NKJV). Me fjalë të tjera, Perëndia i qëndis gjërat.