Karakteri ka rëndësi
10. dhjetor e mërkurë
“Njeriu shikon pamjen, kurse Zoti shikon zemrën” 1 Samuelit 16:7
Ja një përshkrim i Saulit, mbretit të parë të Izraelit: “Ndër bijtë e Izraelit nuk kishte asnjë më të bukur se ai” (1 Samuelit 9:2). Por pamja e tij nuk mund të shlyente mungesën e karakterit dhe ai vdiq para kohe në turp dhe disfatë. Kur profeti Samuel shkoi tek shtëpia e Isait për të vajosur një nga bijtë e tij si mbretin e ri të Izraelit, Perëndia tha: “Njeriu shikon pamjen, kurse Zoti shikon zemrën”.
Shumë vite më parë, në Rusi lindi një djalë i cili mendonte se ishte aq i shëmtuar, saqë ishte i sigurt se nuk do të kishte lumturi në jetën e tij. Ai e vajtonte faktin se kishte një hundë të gjerë, buzë të trasha, sy të vegjël gri dhe duar e këmbë të mëdha. Atij nuk i pëlqente aspak pamja e tij, aq sa i kërkoi Perëndisë të bënte një mrekulli dhe ta kthente atë në një burrë të pashëm. Ai u betua se nëse Perëndia do ta bënte këtë, ai do t’i jepte Atij çdo gjë që kishte. Ai djalë ishte Konti Tolstoi, i cili u bë një nga autorët më të famshëm në botë, më i njohur për veprën e tij “Lufta dhe Paqja”. Në librat e tij ai e pranon se përgjatë viteve zbuloi se bukuria e pamjes së jashtme, që një herë e një kohë ai e kërkonte, nuk ishte e vetmja bukuri në jetë – dhe nuk ishte as bukuria më e mirë. Përkundrazi, Tolstoi arriti në përfundimin se bukuria e një karakteri të fortë ishte e mira më e madhe në sytë e Perëndisë. Karakteri nuk ka të bëjë me paratë apo pamjen, por me të bërit atë që është e drejtë pavarësisht parave dhe të ngrihesh për atë që është e drejtë pavarësisht pamjes.

