Lutu me guxim (4)
14. shtator e hënë
“Jozueu … tha … ‘Diell, ndalu!’ … Kështu dielli u ndal” Jozueu 10:12-13
Perëndia tha: “M'u drejto dhe unë do të të përgjigjem dhe do të të njoftoj gjëra të mëdha dhe të padepërtueshme që ti nuk i di” (Jeremia 33:3). Ti duhet t’i drejtohesh Perëndisë si për gjëra të mëdha, ashtu edhe për gjëra të vogla. Ushtria e Jozueut po luftonte kundër fuqisë së bashkuar të pesë ushtrive armike dhe ai po fitonte. Por po i mbaronte koha dhe kishte nevojë për më shumë dritë dite. Kështu që bëri diçka që askush në historinë e regjistruar nuk e kishte bërë më parë: “Ditën që Zoti i dorëzoi Amorejtë në duat e bijve të Izraelit, Jozueu i foli Zotit dhe në prani të Izraelit tha: "O Diell, ndalu … Kështu dielli u ndal … deri sa mbaroi hakmarrja e popullit kundër armiqve të tij. A nuk është shkruar kjo në librin e të Drejtit? Kështu dielli u ndal në mes të qiellit dhe nuk u nxitua të perëndojë pothuajse një ditë të tërë. Dhe nuk pati kurrë, as më parë dhe as më vonë, një ditë si ajo kur Zoti plotësoi dëshirën e zërit të një njeriu, pse Zoti luftoi për Izraelin” (Jozueu 10:12–14).
Ashtu si Jozueu, që po luftonte kundër pesë mbretërve, edhe ti mund të jesh duke luftuar me shkurajimin, sëmundjen, dëshpërimin, humbjen ose vdekjen. Përgjigju me lutje — lutje të sinqertë, të vazhdueshme dhe të guximshme. Ti je anëtar i familjes së Perëndisë. Ti i afrohesh Atij jo si i huaj, por si trashëgimtar. Afrohu me besim para fronit të Tij (shiko Hebrenjve 4:16). Shprehi me zell kërkesat e tua (shiko Filipianëve 4:6), jo për shkak të asaj që ke arritur, por për shkak të asaj që Krishti ka bërë për ty. Meqënëse Krishti derdhi gjakun e Tij për ty, ti mund ta derdhësh me besim zemrën tënde para Perëndisë duke ditur se do të marrësh përgjigje.

