Ringjalle ëndrrën tënde
19. qershor e premte

“Në fakt, Perëndia flet…në një ëndërr” Jobi 33:14-15

Perëndia është një dhënës ëndrrash. “Në fakt, Perëndia flet…në një ëndërr, në një vegim të natës, kur një gjumë i rëndë i zë njerëzit” (v. 14-15). Nëse nuk dëshiron ta kalosh pjesën tjetër të jetës duke u ndier i zbrazët dhe pa frymëzim, nxirre ëndrrën tënde nga dollapi dhe fshiji pluhurin. Është e lehtë të përfshihesh nga “duhet-et” e jetës—puna, kujdesi për fëmijët, bashkëshortin/en dhe prindërit që plaken, mirëmbajtja e shtëpisë, e kështu me radhë. Por ti duhet të besosh se mund ta ringjallësh jetën dhe ëndrrat e tua dhe se ke aftësinë të rizbulosh entuziazmin që dikur ndjeje për jetën. Duhet të kesh guximin të përballesh me zhgënjimet e së kaluarës, të shikosh me ndershmëri se si dole nga rruga dhe të kuptosh se ku po shkon. Pastaj duhet ta bësh të heshtë zërin në kokën tënde që thotë: “Kaq është gjithçka. Kush je ti që të kërkosh më shumë nga jeta? Nuk mundesh; është tepër vonë për ty”.

Ne heqim dorë nga ëndrrat tona, sepse mendojmë se kjo është ajo që duhet të bëjnë të rriturit. Por ndërsa piqemi, kuptojmë se ndjekja e ëndrrave tona është ajo që na bën të ndihemi të gjallë. E vërteta është se me dashuri, lutje dhe vëmendje të madhe, ëndrra jote, ashtu si Llazari, mund të ringjallet (shiko Gjoni 11:43). Sekreti për të rifituar ëndrrat është të shijosh rrugëtimin drejt ëndrrës, në vend që të përqendrohesh vetëm te rezultati. Arritja, në këtë rast, nuk lidhet me pozicionin, famën apo shpërblimin financiar, por me të bërit atë që do. Jezusi premtoi këtë: “Unë kam ardhur që ata të kenë jetë…dhe ta kenë me bollëk” (Gjoni 10:10).