Konsultohu me Perëndinë në çdo gjë
14. shkurt e shtunë

“Por pa u konsultuar me Zotin” Jozueu 9:14

Jeto me një vesh drejt qiellit: “A është kjo mundësi nga ti, o Zot?”. “A je ti në këtë sipërmarrje, o Zot?”. “A duhet ta ndjek këtë rrugë, o Zot?”. Një herë Jozueu dështoi ta bënte këtë dhe pagoi për të. Ja si është historia. Një grup të huajsh hynë në kampin e Izraelit duke thënë: “Shërbëtorët e tu kanë ardhur nga një vend shumë i largët” (v. 9). Mesa duket, ata e dinin që ligji i Perëndisë kishte marrë masa të posaçme për qytetet jashtë Kanaanit (shiko Ligji i Përtërirë 20:10-12). Çdo qytet që pranonte të bënte paqe me Izraelin do të kursehej. Kështu, nga frika, ata përdorën mashtrimin. Kaluan tre ditë para se Jozueu të kuptonte se e kishin gënjyer. Këta njerëz nuk ishin nga një vend i largët; ata ishin nga Gibeoni, vetëm një ditë larg në këmbë. Si rezultat, Jozueu hyri në një aleancë me armikun, sepse nuk kërkoi këshillën e Perëndisë. Edhe ne bëjmë mirë të mësojmë nga gabimi i tij.

Edhe armiku ynë hyn në kampin tonë i maskuar: “sepse Satanai vet shndërrohet në engjëll drite” (2 Korintasve 11:14). Ai është dinak. Ja pse është thelbësore që ne të konsultohemi me Perëndinë në çdo gjë. Në çdo vendim dhe në çdo udhëkryq pranoje Atë, kushtoji vëmendje Atij dhe pyete atë: “A duhet të kthehem djathats?”. Davidi tha se Fjala e Perëndisë është një “llampë në këmbët tona (Psalmi 119:105), jo një ndriçim në të ardhmen. Ai jep dritë mjaftueshëm për të kaluar në hapin tjetër. Kur ne lutemi, Ai u flet zemrave tona: “Kur do të shkoni djathtas ose kur do të shkoni majtas, veshët e tu do të dëgjojnë prapa teje një fjalë që do të thotë: ‘Kjo është rruga, ecni në të!’” (Isaia 30:21). Prandaj, konsultohu me Perëndinë në gjithçka.