Vihu në vijë
16. nëntor e diel
“Mos kujtoni më gjërat e kaluara, mos shqyrtoni më gjërat e lashta. Ja, unë po bëj një gjë të re” Isaia 43:18-19
Është koha për t’u bërë ai që ti je vërtet dhe të merresh me dhuntitë e tua të dhëna nga Zoti. Kjo mund të kërkojë të përballesh me disa gjëra të caktuara, të cilat mund të mos të të pëlqejnë tek vetja jote dhe situata jote e tanishme. Fillimi i procesit është pjesa më e vështirë. Një mënyrë për ta bërë këtë është të ndalosh së shikuari veten ashtu siç të shohin të tjerët dhe në të kundërt shihe veten siç të sheh Perëndia. Këndvështrimi yt për veten është një nga gjërat e para që zhduket kur jeta bëhet e vështirë, kur ngec në sëmundje, borxhe ose në trishtim. Prandaj, kthehu tek ai këndvështrim!
Dhe aty ku sheh një shkëputje mes asaj që je dhe mënyrës se si po jeton tani, hidhi tej fajësimet dhe akuzat ndaj vetes. Pasi ta kesh bërë këtë, ti do fillosh të zbulosh se ajo që ke brenda teje tani është edhe jashtë, duke u treguar në jetën tënde. Ai që ti je në privatësi zhvillohet në atë të cilin je kudo. Shihe veten si të freskët dhe të ri, i gatshëm për të filluar nga e para. Hidhi hapat një nga një. Kur ta shohësh veten në mënyrën se si të sheh Perëndia, do ta shohësh veten duke thënë: “Jam këtu dhe jam gati të përdor dhuntitë e mia për të jetuar jetën për të cilën jam bërë!”. Kjo të vë në dakortësi me Perëndinë, i cili thotë: “Mos kujtoni më gjërat e kaluara, mos shqyrtoni më gjërat e lashta. Ja, unë po bëj një gjë të re. Ajo do të lëshojë degë; nuk do ta njihni ju? Po, do të hap një rrugë nëpër shkretëtirë, do të bëj që lumenjtë të rrjedhin në vendet e vetmuara”.

