Kiki-riki-ki!
6. Qershor E Martë
‘Dhe menjëherë, ndërsa ai ende po fliste, këndoi gjeli’ Luka 22:60 NASB
Bibla thotë: ‘Dhe menjëherë, ndërsa ai ende po fliste, këndoi gjeli. Dhe Zoti u kthye, dhe e shikoi Pjetrin. Dhe Pjetrit iu kujtua fjala që i kishte thënë Zoti: “Para se të këndojë gjeli, ti do të më mohosh tri here”. Atëherë Pjetri doli përjashta dhe qau me hidhërim’ (v. 60-62, NASB). Përpara se Perëndia të të besojë një detyrë të madhe, Ai e lejon Satanin që të të vërë në provë. Pse? Për të zbuluar dobësitë dhe pikat e tua të forta në ato fusha. Perëndia do të të lejojë që të dështosh në një sferë të vogël për të mos lejuar që ta bësh lëmsh në një sferë më të madhe, që mos lëndosh as veten dhe as të tjerët.
Një nga mrekullitë e jetës së krishterë është që Jezusi mund të marrë rrënojat dhe të ndërtojë diçka të bukur prej tyre. Pjetri premtoi se nuk do ta mohonte kurrë Jezusin, por në kohën kur këndoi gjeli ai e kishte bërë tashmë tre herë. Dështim i përsëritur! A e gjen veten edhe ti këtu? Ti the se nuk do ta humbje toruan dhe e humbe. Kiki-riki-ki! Kur këndon një gjel? Herët në mëngjes. Lajm i mirë! Kjo do të thotë se gjeli lajmëron fillimin e një dite krejt të re. Pas natës më të tmerrshme të dështimit, dielli lindi për Pjetrin. Dhe ai do të lindë edhe për ty. Me anë të hirit të Perëndisë ti mund ta fillosh sërish jetën tënde çdo ditë që do zgjedhësh për ta bërë.
Sot, ti mund të pendohesh për mëkatin tënd dhe të vazhdosh të bësh gjëra të mëdha për Perëndinë. Pjetri përfundoi duke fituar turma për Krishtin dhe duke drejtuar kishën. Prandaj, pavarësisht se sa keq mund të kesh dështuar, Perëndia do të të falë, do të të restaurojë dhe do t’i ridrejtojë hapat e tu.