Mos e lër pas dore besimin tënd
9. Dhjetor E Premte

“Sipas masës së besimit që Perëndia i ndau secilit” Romakëve 12:3 NKJV

Nuk mund të ulesh e të mos bësh asgjë, duke besuar se Perëndia do të bëjë çdo gjë për ty. Ti ke një rol për të luajtur. Pali thotë se Perëndia i jep secilit prej nesh një “masë besimi”. Juda thotë se mund të zhvillosh natyrën shpirtërore duke “ndërtuar veten tuaj mbi besimin tuaj shumë të shenjtë” (Juda vargu 20, NIV). Besimi nën sulm është thjesht besim në ndërtim e sipër. Pikërisht gjatë betejave të jetës ndodh që zbulon nëse e ke rritur besimin tënd ose e ke lënë pas dore atë.

Në kohët e Biblës, shumë ushtarë romakë përdornin një skutum, një mburojë, e cila i mbronte nga koka tek këmbët. Ishte e bërë prej drurit dhe ishte e veshur me një shtresë të trashë kanavace dhe lëkure. Forma e saj e lakuar bënte të mundur që shigjetat e flakta të armikut të përplaseshin me mburojën dhe të fikeshin pa e dëmtuar ushtarin. Tani mund ta kuptosh se çfarë donte të thoshte Pali: “Mbi të gjitha, duke marrë mburojën e besimit, me të cilën mund të shuani të gjitha shigjetat e zjarrta të të ligut” (Efesianëve 6:16, NIV). Shigjetat e Satanit nuk mund të të shpojnë zemrën kur ajo është e pastër, e ngopur me Shkrimin dhe e fortifikuar nga besimi. Ja pse Jezusi i tha Pjetrit: “Simon, Simon, ja, Satani ka kërkuar t’ju shoshë ashtu siç shoshet gruri. Por unë jam lutur për ty, që besimi yt të mos mpaket; dhe ti, kur të jesh kthyer, forco vëllezërit e tu" (Luka 22:31-32 NKJV).

Është besimi yt që është nën sulm! Është besimi yt ai që duhet të ushqehet! Është besimi yt që të ruan në betejat e jetës! Jezusi na tha: “Kini besimin e Perëndisë!” (Marku 11:22, KJV). Vëre, Jezusi nuk të tha të kesh besim tek diçka më e madhe se vetja jote. Jo, Ai tha të kesh besimin e Perëndisë. Është koha që kalon me Perëndinë në lutje dhe me Shkrimet ajo që të fuqizon besimin për të fituar betejat e jetës.