Përdore dhuratën që Perëndia të ka dhënë
2. shtator e mërkurë

“Po secilit nga ne iu dha hiri sipas masës së dhuntisë së Krishtit” Efesianëve 4:7

Pali tha se kur Jezusi “u ngjit lart, ai e burgosi burgosjen dhe u dha dhurata njerëzve” (v. 8). Ai përdori metaforën e një mbreti fitimtar. Në kohën e Palit, ishte e zakonshme që monarku fitues të kthehej në pallatin e tij me robër dhe thesare pas vetes. Ai e festonte fitoren duke u dhënë dhurata njerëzve të tij. Kështu bëri edhe Jezusi. Pasi mposhti mëkatin dhe vdekjen në kryq, Ai u ngjit në qiell, zuri vendin që i takonte në të djathtën e Perëndisë dhe “u dha dhurata njerëzve”. Çfarë mendimi i mrekullueshëm! Jezusi, i kurorëzuar përjetësisht, duke shpërndarë aftësi dhe shkathtësi: “Xho, zë vendin tënd në fushën e mjekësisë. Mari, territori yt është kontabiliteti.”

Çdo njeri merr një dhuratë. Dhe këto dhurata vijnë në doza dhe kombinime të ndryshme. “Dhe secilit i jepet shfaqja e Frymës për dobinë e përbashkët” (1 Korintasve 12:7). Trashëgimia jonë bazohet në hir dhe është e barabartë, por detyrat tona janë të personalizuara. Asnjë fjollë bore nuk është e njëjtë. Asnjë shenjë gishti nuk është e njëjtë. Pse do të ishin të njëjta dy grupe aftësish? Nuk është çudi që Pali tha: “Por kuptoni cili është vullneti i Zotit” (Efesianëve 5:17). A e kupton ti se çfarë dëshiron Zoti? Nëse jo, do të jetosh një jetë të mërzitshme, pa gëzim dhe pa fryt. Nuk do ta këndosh kurrë këngën që Perëndia e shkroi për zërin tënd dhe nuk do ta kalosh vijën e finishit me krahët e shtrirë drejt qiellit duke thënë: “Për këtë jam krijuar!” Prandaj Bibla thotë: “Dhe secili të analizojë veprën e tij dhe atëherë do të ketë arsye të mburret vetëm për veten e tij” (Galatasve 6:4).