Fjala jetë-dhënëse
7. qershor e diel
“Fjalët që po ju them janë frymë dhe jetë” Gjoni 6:63
Jezusi u quajt “Rabi” njëmbëdhjetë herë në Ungjij. Por Ai nuk ishte si çdo rabin tjetër. Rabinët citonin të tjerët, ndërsa Jezusi thoshte: “Në të vërtetë po ju them…”. Në Ungjillin sipas Gjonit, Ai e tha këtë dy herë: “Në të vërtetë, në të vërtetë po ju them…”. Arsyeja pse Jezusi nuk ishte si asnjë rabin tjetër ishte sepse Ai ishte Perëndia i shfaqur në mish. Dhe Pali thotë: “…të Krishtit…ku janë fshehur të gjitha thesaret e diturisë dhe të njohjes” (Kolosianëve 2:2–3).
Etërit e hershëm të kishës kishin një thënie të preferuar: “Ungjijtë janë një lumë ku një mushkonjë mund të notojë dhe një elefant mund të mbytet”. Ungjijtë — dëshmia e jetës dhe e mësimit të Krishtit — kanë ndikuar botën aq shumë, saqë janë përkthyer në 2,527 gjuhë. Libri i dytë më i përkthyer, Don Kishoti, është përkthyer në rreth 60 gjuhë. Edhe sot, Bibla mbetet libri më i shitur i të gjitha kohërave. Në botën akademike, studiuesit mbajnë shënim se sa shpesh citohen artikujt që shkruajnë nga studiues të tjerë. Sipas vlerësimeve laike të këtij viti, ndikimi intelektual i Jezusit është i paprecedentë. Pse ndodh kjo? Sepse kur gjithçka tjetër dështon, Fjala e Perëndisë funksionon. Jezusi e shpjegoi kështu: “Éshtë Fryma që jep jetë; mishi nuk vlen asgjë; fjalët që po ju them janë frymë dhe jetë”. Nëse je mësuese, e di se pyetja numër një në çdo klasë është: “A do të jetë kjo në provimin përfundimtar?”. Nëse dëshiron ta kalosh “provimin përfundimtar” dhe të dëgjosh “Të lumtë!” nga Mësuesi, hyr çdo ditë në Fjalën e Perëndisë dhe lejoje Fjalën e Perëndisë të hyjë në ty.

