Gjithmonë bëj më të mirën
31. janar e shtunë

“Tërë ato që dora jote gjen për të bërë, bëji me gjithë forcën tënde” Predikuesi 9:10

Një seri ilustrimesh në një revistë të njohur dikur përshkruante historinë e jetës së një “muzikante me një notë të vetme”. Nga një ilustrim në tjetrin, rrëfimi zbulonte se si gruaja ndoqi rutinën e saj të përditshme të të ngrënit dhe të gjumit derisa erdhi koha për koncertin e mbrëmjes. Ajo e shqyrtoi me kujdes violinën e saj, u ul, aranzhoi muzikën dhe e akordoi instrumentin. Së pari, dirigjenti i dha me mjeshtëri sinjal një grupi muzikantësh, pastaj një tjetri, derisa më në fund erdhi momenti i saj. Ishte koha që të luhej një notë e saj! Dirigjenti u kthye nga violinistja dhe i bëri shenjë të luante notën e saj. Ajo e bëri dhe pastaj momenti mbaroi. Orkestra vazhdoi të luante dhe gruaja “me një notë” qëndroi ulur e qetë gjatë gjithë pjesës tjetër të koncertit – jo me një ndjenjë zhgënjimi që kishte luajtur vetëm një notë, por me një ndjenjë kënaqësie që kishte luajtur notën e saj të vetme në akord, në kohë dhe me gjithë aftësinë e saj.

Jezusi tregoi historinë e një biznesmeni që u dha tre punonjësve të tij disa talenta argjendi që t’i investonin për përfitim të tij. Njërit iu dhanë pesë talenta, një tjetri dy talenta dhe një tjetri një talent, “secilit sipas zotësisë së tij” (Mateu 25:15). Bibla thotë se ne do të shpërblehemi në qiej për shërbimin tonë ndaj Krishtit këtu në tokë. Si do të vendosë Perëndia se cili do të jetë shpërblimi yt? Jezusi tha: “secilit sipas zotësisë së tij”. Ose ashtu siç e thotë dhe Solomoni: “Tërë ato që dora jote gjen për të bërë, bëji me gjithë forcën tënde”. Me fjalë të tjera, bëj më të mirën që mundesh me atë që Perëndia të ka dhënë.