Përdor dhuntinë tënde
17. Mars E Premte

“Gjithsecili le ta vërë në shërbim të tjetrit dhuntinë që ka marrë, si kujdestarë të mirë të hirit të shumëfarshëm të Perëndisë” 1 Pjetrit 4:10 NLT

Bibla thotë: “Gjithsecili le ta vërë në shërbim të tjetrit dhuntinë që ka marrë, si kujdestarë të mirë të hirit të shumëfarshëm të Perëndisë. Nëse dikush flet, le ta bëjë si të shpallë orakullin e Perëndisë; kush bën një shërbim, le të bëjë në forcën që i jep Perëndia, që në gjithçka të përlëvdohet Perëndia nëpërmjet Jezu Krishtit, të  cilit i takon lavdia dhe pushteti për shekuj  të shekujve. Amen” (vargjet 10-11, NLT). 
Mund të mos jesh mjaftueshëm me fat për të punuar në një punë e cila i vë në përdorim dhuntitë e tua, por duhet që të paktën të ecësh në atë drejtim. Pali punoi si një tendabërës për të financuar thirrjen e tij si predikues. Prandaj, nëse e di se je njeri krijues me prirje për dizenjim ose art dhe je i rraskapitur nga puna jote si llogaritar, mund të ketë ardhur koha për të rimenduar zgjedhjet e tua të karrierës. Nëse të pëlqen të zgjidhësh probleme kur të prishet kompjuteri, por je duke punuar si një shef pastiçerie, është koha për të marrë një hap mbrapa dhe të rregullosh disa gjëra. Mund të mos jetë e mundur që të sigurosh jetesën me pasionin tënd menjëherë, ndaj je duke punuar në një fushë që nuk ka të bëjë me atë. Kjo është në rregull tani për tani. Por shikimi yt duhet të përqëndrohet tek ndjekja e thirrjes  së Perëndisë. Moisiu shpenzoi dy të tretat e jetës së tij duke u përgatitur për detyrën e tij të vërtetë për të drejtuar popullin e Izraelit për në tokën e premtuar. 
Perëndia asnjëherë nuk e shpërdoron përvojën. Shpesh herë mençuria që merr nga një punë të cilën nuk e do të mundëson të kesh sukses në një punë që të pëlqen; atë të cilën Perëndia ka zgjedhur për ty. Prandaj, vazhdo të besosh tek Zoti. Dhe kur Ai të hapë derën, ti do të jesh gati të hysh.