Është koha për t’u lutur (1)
18. Mars E Shtunë
“Më pastro me hisop dhe do të jem i pastruar; më laj dhe do të jem më i bardhë se bora” Psalmi 51:7 NIV, UK
A e mban mend kur shumica e restoranteve kishin orare hapjeje dhe mbylljeje? Ishte itinerari i tyre dhe jo oreksi yt ai që vendoste se kur do të haje ose kur do të ishe i uritur. Por kjo nuk ndodh më: tani mund të shkosh në secilin prej vendeve të tua të preferuara për të ngrënë sa herë të të marrë uria. Kështu funksionon edhe Perëndia; Ai është i disponueshëm 24/7. Dhe megjithëse lutja nuk është e kufizuar nga orare të caktuara, ka disa raste kur është e domosdoshme të flasësh me Perëndinë.
Ja dy prej tyre: 1) Kur ke mëkatuar. Emocionet e tua të fajit dhe turpit, plus Satani “akuzuesi”, do të të thonë që t’i shmangesh Perëndisë. Por t’i drejtohesh atij është e vetmja zgjidhje ndaj mëkatit. I rënduar nga shthurja, mashtrimi dhe vrasja, Davidi kuptoi se ai duhet t’ia rrëfente mëkatin e tij Perëndisë. “Më pastro me hisop dhe do të jem i pastruar; më laj dhe do të jem më i bardhë se bora…O Perëndi, krijo tek unë një zemër të pastër dhe përtëri tek unë një frymë të patundur” (vargjet 7, 10 NIV, UK). Gjoni tha se Perëndia është “besnik dhe i drejtë që të na falë mëkatet dhe të na pastrojë nga çdo paudhësi” (1 Gjonit 1:9 NIV). A ke mëkatuar? Një fillim i ri kërkon vetëm një lutje.
2) Kur je i shqetësuar dhe i frikësuar. Nuk ke pse të shikosh tepër larg për të gjetur gjëra për të cilat të shqetësohesh; ato janë kudo rreth teje. Shqetësimet financiare, të punës, shëndetësore dhe familjare mund të të stresojnë dhe të të japin ankth. Ku duhet të drejtohesh? Lutja është përgjigja e Perëndisë për frikën dhe ankthin tënd. “Mos u shqetësoni për asgjë, por, në çdo gjë, ia parashtroni kërkesat tuaja Perëndisë me anë lutjesh dhe përgjërimesh, me falënderim. Dhe paqja e Perëndisë, që ia tejkalon çdo zgjuarësie, do të ruajë zemrat tuaja dhe mendjet tuaja në Krishtin Jezus” (Filipianëve 4:6-7).