Besimi që sjell rezultat
20. Mars E Hënë

“Sepse ai që i afrohet Perëndisë duhet të besojë se Perëndia është dhe se është shpërblenjësi i atyre që e kërkojnë atë” Hebrenjve 11:6, NKJV

Ja tre të vërteta nga Shkrimi që do ta bëjnë besimin tënd më efektiv: Si fillim, beso se Perëndia është. Fuqia e gjuhës së përdorur këtu është më shumë sesa thjesht një njohje e ekzistencës së Perëndisë. Njerëzimi është marrë me shumë zota, por Zoti i Biblës nuk është një prej tyre – ose as një nga më të mirët. Ai është i vetmi Perëndi i vërtetë! Dhe ky Shkrim thotë se Ai është në mënyrë të veçantë, të vërtetë dhe të përhershme, i pranishëm dhe aktiv. 
Së dyti, beso se Perëndia është i aftë. Kur dy të verbër iu afruan Jezusit për të kërkuar shërim, Ai i pyeti: “‘A besoni ju se unë mund ta bëj këtë gjë?’. Ata iu përgjigjën: ‘Po, o Zot’. Atëherë ai ua preku sytë, duke thënë: ‘U bëftë sipas besimit tuaj’” (Mateu 9:28-29, NIV). Menjëherë, ata mund të shihnin. Jezusi e dinte që Ai mund ta bënte, por donte që ata ta dinin se Ai ishte i aftë. Derisa të besosh në aftësinë e Zotit për të përmbushur nevojën tënde, nuk ke themel ku ta bazosh vetbesimin tënd dhe lutjet e tua. 
Së treti, beso se Perëndia është i gatshëm. Pasi ta kuptosh se Ai është i aftë, duhet të hedhësh një hap besimi. Një lebroz iu afrua Jezusit duke thënë: “‘O Zot, po të duash, ti mund të më shërosh’. Jezusi e shtriu dorën, e preku dhe i tha: ‘Po, unë dua, shërohu’. Dhe në atë çast u shërua nga lebra e tij” (Mateu 8:2-3, NASB). A është Perëndia i gatshëm? Konsidero atë që ka thënë Ai vetë: Ai – jo ne – është Ai që quhet “shpërblenjësi i atyre që e kërkojnë”. Kjo nuk lë vend për dyshim. Sot, Perëndia jo vetëm që është i aftë por edhe i gatshëm për të përmbushur nevojën tënde.