Bibla dhe investimet e tua (2)
30. tetor e enjte
“Në shtëpinë e të urtit ka një thesar të çmuar” Fjalët e Urta 21:20
Bibla na mëson dy gjëra mbi të përparuarit financiarisht. 1) Duhet të investosh me mençuri. Kur dikush të ofron një kthim investimi që duket tepër i mirë për të qënë i vërtetë – zakonisht ashtu është! 2) Mos puno vetëm për paratë; bëji paratë të punojnë për ty. “Në shtëpinë e të urtit ka një thesar të çmuar dhe vaj, por njeriu budalla i bën të gjitha rrush e kumbulla” (vargu 20). Dhe ka më shumë se një mënyrë për t’i prishur paratë e tua. Nëse inflacioni rritet mesatarisht me 3 përqind në vit, por interesi i kursimeve të tua po fiton vetëm një përqind, po humbet 2 përqind të fuqisë tënde blerëse. Kështu që, frika jote e investimit mund të shkaktojë atë humbje së cilës ti i frikësohesh.
Jobi tha: “Sepse ajo që më tremb më shumë më bie mbi krye, dhe ajo që më tmerron më ndodh. Nuk kam qetësi, nuk kam prehje, por më pushton shqetësimi" (Jobi 3:25-26). Nëse ndjehesh kështu për investimin, lexo këtë: “Ki besim tek Zoti me gjithë zemër dhe mos u mbështet në gjykimin tënd; pranoje në të gjitha rrugët e tua, dhe ai do të drejtojë shtigjet e tua… Atëherë do të ecësh i sigurt në rrugën tënde dhe këmba jote nuk do të pengohet. Kur do të biesh për të fjetur, nuk do të kesh frikë; po, do të biesh dhe gjumi yt do të jetë i ëmbël. Nuk do të druash llahtarën e papritur, as shkatërrimin e të pabesëve kur do të ndodhë, sepse Zoti do të jetë pranë teje dhe do të pengojë që këmba jote të kapet në ndonjë lak (Fjalët e Urta 3:5-6, 23-26). Jo vetëm që Perëndia do të plotësojë nevojat e tua, por Ai do të plotësojë nevojat e të tjerëve përmes teje. Dhe që kjo të ndodhë, duhet të kesh strategji të mençura investimi.

