Varu më shumë tek Perëndia
25. Maj E Enjte

‘Hiri im të mjafton, sepse fuqia ime përsoset në dobësi’ 2 Korintasve 12:9 NIV

Sekreti i të qënurit i aftë për të bërë atë që duhet të bësh gjendet në të kuptuarit që ti nuk mund ta bësh dot vetëm; ti mund ta bësh vetëm nëpërmjet hirit fuqizues të Perëndisë. Perëndia i tha Palit: ‘Hiri im të mjafton’ dhe fjala ‘hir’ përfshin ‘gjithçka prej Perëndisë që ti do të kesh nevojë për çdo gjë me të cilën do të përballesh në jetë’. Çfarë premtimi! Ndonjëherë ne mendojmë se duhet të bëjmë gjithçka vetë. Ne harrojmë se fuqia e Krishtit vepron përmes nesh, kështu që ne mposhtemi që përpara se të fillojmë. ‘Ne, pra, jemi bashkëpunëtorë të Perëndisë’ (1 Korintasve 3:9 KJV). Ne nuk mund ta bëjmë pjesën e Perëndisë dhe Ai nuk do e bëjë pjesën tonë. Ai do që ne ta ndjekim udhëheqjen e Tij, por Ai ngul këmbë që ne të varemi tek Ai në çdo hap të rrugës. Kjo është e vështirë për egon tonë, e cila thotë: ‘Unë mund ta bëj vetë!’.

Ndonjëherë ne duhet të rrëzohemi përtokë përpara se të heqim dorë nga ky lloj të menduari. Duke e ditur se kemi disa dhurata dhe talente, ne bëjmë gabimin e supozimit se mund t’i përdorim ato për të pasur sukses me anë të fuqisë tonë. Jo, nëse hiri i Perëndisë nuk është duke vepruar përmes dhuntisë tënde, ti nuk do të jesh i përshtatshëm për sfidën. Bibla thotë: ‘Dhe tani, duke pasur dhunti të ndryshme sipas hirit që na u dha’ (Romakëve 12:6 NIV). Hiri është si elektriciteti’, që të funksionojë në mënyrë efektive ti duhet të vësh prizën.

Jezusi tha: ‘Sikurse shermendi nuk mund të japë fryt nga vetja, po qe se nuk qëndron në hardhi, ashtu as ju, nëse nuk qëndroni në mua…sepse pa mua nuk mund të bëni asgjë’ (Gjoni 15:4-5 NIV). Prandaj, varu më shumë tek Perëndia.