Të rrisësh fëmijë të mirë në një botë të trazuar (3)
13. maj e hënë

“Mos ja kurse korrigjimin fëmijës” Fjalët e Urta 23:13, NIV

Ja disa zona të tjera ku prindërit hutohen shpesh.

2) Disiplina kundër ndëshkimit.Marrëzia lidhet me zemrën e fëmijës, por shufra e korrigjimit do ta largojë prej saj” (Fjalët e Urta 22:15, AMPC). Vër re zgjedhjen e fjalëve të Perëndisë: “shufra e korrigjimit” jo “shufra e ndëshkimit”. Disiplina dhe korrigjimi kanë të bëjnë me të mësuarit; ndëshkimi e bën një fëmijë të vuajë për sjelljen e tij. Fëmijët kanë nevojë për disiplinë – jo ndëshkim, i cili shpesh kryhet nga një prind i acaruar ose i inatosur. “Mos ja kurse korrigjimin fëmijës”. Kursimi i korrigjimit i përgatit ata për një jetë plot me dështime dhe vuajtje. Disiplina përqendrohet tek përmirësimi i sjelljes, mëson të mirën dhe të keqen duke dhënë pasoja të cilat lidhen drejtpërdrejtë me zgjedhjet e fëmijës. Mund të marrë formën e dënimeve ose heqjes së privilegjeve, por duhet të jetë gjithmonë për të mirën e fëmijës, kurrë për t’i shkaktuar dhimbje.

3) Dashuria kundër llastimit. Bota jonë materialiste e ngatërron dashurinë me llastimin. Prindërit e dashur japin pa llastuar, përmbahen për të mirën e fëmijës dhe i motivojnë ata duke shpërblyer sjelljen e mirë. Prindërit llastues i japin fëmijës çdo gjë që do, pavarësisht sjelljes, duke dështuar t’i motivojnë që të jenë të përgjegjshëm. Fëmijët e llastuar zhvillojnë një ndjenjë vetëdrejtësie dhe një pritshmëri që të tjerët ekzistojnë për t’i kënaqur ata. Prindërit llastues shpesh herë shtyhen nga faji dhe frika se fëmijët nuk do t’i pëlqejnë ose nuk do t’i duan ata. Ata e ngatërrojnë llastimin me dashurinë dhe rrisin fëmijë që kërkojnë, manipulojnë dhe nuk janë kurrë të kënaqur. Dashuria kërkon të folurit, të dëgjuarit, të qeshurit, ndarjen e kohërave të vështira, respektimin dhe inkurajimin e fëmijëve të tu me pranim të pakushtëzuar. Kjo dashuri nuk të kushton asgjë por ka vlerë sa gjithçka.